Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, deklaroi se do të mbështesë Florjan Binajn në garën për kryebashkiak të Tiranës.
“Florjan Binaj është një qytetar i angazhuar, që ka luftuar në kauza të ndryshme, është një njeri me të cilin kemi bashkëthemeluar lëvizjen tonë dhe është qytetar që ka luftuar për kauza publike. Zoti Binaj ka qenë krah për krah me ne për çështjen e importit të plehrave; ka qenë në shesh kundër rritjes së çmimeve; ka qenë për mungesën e ilaçeve. Gjërat nuk i mohoj dot. Duam apo nuk duam ne, Partia Demokratike është sot partia e dytë në vend dhe përfaqëson një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Ne kemi shpallur luftë me ata që e kanë marrë peng sistemin. Partia Demokratike nuk është pronë e Sali Berishës. Ne nuk mund të bëhemi aq arrogantë sa të themi se nuk ka rëndësi që shqiptarët po ikin, që Edi Rama i ka kapur të gjitha pushtetet... Ne nuk bëhemi palë me ata që e kanë marrë peng vendin, por nëse del një kandidat i pavarur, me të cilin mund ta gjejnë veten edhe socialistë të zhgënjyer, ne si lëvizje do ta mbështesim për aq sa do të kërkojë dhe si do ta kërkojë”, tha Lapaj.
“Nuk do të kërkojmë as protagonizëm të shtuar dhe as nuk do të imponohemi”, shtoi kreu i “Shqipëria Bëhet”. (A2 Televizion)