Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar ditën e sotme një takim me përfaqësues të teknologjisë dhe Start Up-eve në Berat.
Gjatë fjalës së tij në takim, Rama tha se do të nënshkruhet një marrëveshje kuadër me qeverinë me qëllim që përfaqësuesit e teknologjisë të kenë akses në të gjithë strukturat e qeverisë, që të kenë bazën e nevojshme për të ndërtuar modele AI.
Ai tha gjithashtu se është dakordësuar që të ngrihet një Forum që do të mblidhet çdo 4 muaj, për të diskutuar të gjitha problematikat dhe risitë e sektorit në fjalë, shkruan A2 CNN.
“Kemi rënë dakord që do të kemi një Kuvend të përbashkët, një forum të përbashkët të paktën 1 herë në 4 muaj për të gjitha problematikat dhe për risitë e sektorit dhe të gjitha piketat që duhen vizituar dhe ndryshuar, apo duhen shtuar në rrugën e mëtejshme.
Duke thënë këtë dua të them që nga ana jonë, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Kulturën dhe Inovacionin dhe ministrja e Arsimit do angazhohen me ju për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit tuaj, pasi besoj që duhet të hapim një kapitull të ri, në sensin që ju duhet të keni akses në të gjithë strukturat e qeverisë, për të pasur të mundur të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave për të ndërtuar proceset që do na sjellin modele të AI, që do të na shërbejnë ne për ti shërbyer publikut dhe do tu shërbejmë dhe juve në punën tuaj dhe pastaj do të na shërbejnë bashkërisht për të promovuar produktet tona.
Nuk është aspak mungesë modestie që ne të pretendojmë të krijojmë dhe të promovojmë produkte përtej kufijve”, tha mes të tjerash Rama, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)