“Unë dua t’ju bëj një thirrje mijëra burrave dhe grave, fisnikë, flokëthinjurve që shkrinë jetën e tyre për Shqipërinë, bashkohuni më 11 maj, votoni ndryshimin. Vota juaj do të jetë votë për dinjitetin tuaj, sepse vota juaj do të jetë votë për të ndëshkuar ata të pamëshirë që në mënyrë çnjerëzore ju poshtëruan ju, ju detyruan ju, njerëz fisnikë, të qani me lot të ftohta mjerimi”.
Kështu u shpreh Sali Berisha në mitingun mbyllës të fushatës të mbajtur në Tiranë. Ai iu drejtua qytetarëve duke i kërkuar votën për të realizuar ëndrrën shqiptare në Shqipëri.
“11 maj ju votoni që brenda 100 ditëve Shqipëria të mos ketë pension nën 200 euro. Ju garantoj se ky vrap nuk do të ndalet derisa ju të paguheni më mirë se të gjithë pensionistët e rajonit. Të rinj dhe të reja, ju që votoni më 11 maj për herë të parë keni një fat të bardhë, po të gjithë ju të tjerët që shkoni më 11 maj, vota juaj ka peshën e jetës suaj, ka peshën e të ardhmes tuaj, të ëndrrës tuaj të bukur, në 100 ditë ne hedhim bazat që çdo i ri dhe e re të mendojë, të realizojë ëndrrën shqiptare në Shqipëri. Zotimi ynë është se dyfishohen fondet për arsimin, shkollat do të modernizohen me teknikat më të avancuara digjitale dhe asnjë fëmijë nuk do të mbetet analfabet”, tha Berisha.
PD mbyll fushatën, Berisha përshëndet Trump e Merz: Do të vendosim marrëdhëniet më të ngushta me ju
Sali Berisha e nisi fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës elektorale të opozitës duke përshëndetur kancelarin e sapo zgjedhur të Gjermanisë, Merz. Më tej, ai tha se Shqipëria do të rris ndjeshëm bashkëpunimin me qeverinë gjermane dhe do të eksportojë aty produktet shqiptare dhe jo krimin si sot, siç tha ai.
“Do t’i përcjell përshëndetjet më të përzemërta deputetit të Bundestagut gjerman Peter Bayer, i cili vjen sot këtu për të mbështetur fitoren e opozitës shqiptare dhe Partinë Demokratike. Përshëndes kancelarin Merz që pata rastin ta përshëndes në Valencia. Zgjedhja e kancelarit Merz në udhëheqje të Gjermanisë dhe Europës konsiderohet një fat i madh.
PD do të vendosë bashkëpunimin më të ngushtë me qeverinë gjermane. Do të eksportojmë në gjermani produktet shqiptare dhe jo krim siç është sot.
Mirënjohje të pakufishme për vendimin që morët për rikthimin e PD-së dhe Sali Berishës në pushtet. Ditën e parë, në konferencën e parë të shtypit e shkallmove Edi Ramën duke i rënë tavolinës me grushte. Të garantojë se nesër në mëngjes, ai do t’i bjerë tavolinës me kokë. Ne jemi mirënjohës për vendimin që more për të na ndihmuar. PD do të vendosë marrëdhëniet me të ngushta me administratën e Trump në të gjitha fushat”, tha Berisha. (A2 Televizion)