LIVE| “I binin kokës njerëzit”, Berisha: Krerët e EPP nuk e besonin si zhduku Rama milionat me inceneratorët

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 21:57 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tregoi detaje nga mbledhja në Valencia me krerët e Partive Popullore Europiane, ku u miratua edhe një rezolutë për zgjedhje të lira në Shqipëri. Në një intervistë në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, ai tha se të pranishmit nuk e besonin si ishin vjedhur paratë e inceneratorëve.

“Ato janë zhdukur si asnjë rast, kaq flagrant dhe aq tërësisht, në histori. 130 milionë euro! Nuk e beson njeri... Isha në Valencia i binin kokës njerëzit, kryeministra, qeveritarë, e pamundur më thoshin. Edi Rama do i tregojë se ku i ka marrë dhe do të gjinden qindarkë për qindarkë. Sot e mbron Dumani”, tha Berisha.

Më 30 prill, Partitë Popullore Europiane (EPP) miratuan një rezolutë emergjente për Shqipërinë gjatë kongresit të mbajtur në Valencia, duke ngritur alarmin për integritetin e procesit zgjedhor dhe gjendjen e demokracisë në vend, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, shkruan A2 CNN.

Rezoluta, e titulluar “Integriteti zgjedhor në Shqipëri”, u propozua nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe u bazua në raportet e OSBE/ODIHR, Transparency International, World Justice Project dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Dokumenti thekson një sërë shqetësimesh të rënda që lidhen me manipulimin zgjedhor, presionin mbi opozitën, dhe përdorimin e shtetit për interesa partiake.

Disa ditë më vonë, Kryeministri Edi Rama e cilësoi “fletërrufe të kënetës” rezolutën e miratuar nga Partitë Popullore Europiane këtë javë, për lidhjen e të ardhmes europiane të Shqipërisë me zgjedhjet e lira. “Është një fletërrufe e kënetës. E di shumë mirë si funksionojnë konferencat e partive që mblidhen të gjithë bashkë. Një parti aty fut një tekst, është i shkruar fund e krye nga grupi i bretkosave që merren me këtë temë, edhe ata e kalojnë. Por në ndërkohë ju bëj me dije se të gjithë kryeministrat e atyre partive që ishin në atë mbledhje, ashtu sikundër edhe presidentja e KE dhe kryetari i KE, etj., do të jenë në Tiranë më 16 maj. Dhe faktin që vijnë në Tiranë për të mbajtur Samitin e Komunitetit Politik Europian, flet shumë qartë se çfarë është Shqipëria e sotme”, tha Rama në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos