Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka dhënë një koment kritik për mënyrën si funksionon opozita sot. I ftuar në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Moisiu tha se sjellja e saj shpesh çon në humbjen e besimit te qytetarët.
“Jo të gjitha ato që thotë opozita janë gabim, por puna është se për fat të keq te ne, opozita çdo gjë ngrihet dhe e kritikon. Edhe kur është mirë, e kritikon, por humbet besimi, humbet peshën e fjalës. Edhe populli çorjentohet.”
Moisiu u ndal edhe tek qëndrimi i opozitës ndaj proceseve madhore si integrimi në BE:“Nuk di në një kohë kur diskutohet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, të ngrohet opozita dhe të thotë: Jo, nuk jemi gati për këtë punë. Të dalësh kundër vendit tënd… Unë e kuptoj që ka gjëra që duhen rregulluar.”
Moisi solli kritika edhe për kryeministrin Rama: “Ne kemi pasur një Kushtetutë shumë të mirë kur unë isha president, por kanë bërë arnime. Më duket se është zhdukur ndarja e pushteteve. Kryeministri përpiqet me të tijën, por kur i merr të gjithë përsipër edhe do të gabosh. Njeriu mund të mbajë 60 kilogramë në kurriz, por nëse merr 70 kilogramë të këputen gjunjët. Mirëpo populli e zgjidh.” (A2 Televizion)