
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas ratifikimit në Kuvend të Marrëveshjes së Huasë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar atë një moment historik për vendin.
Sipas Nufit, kjo është mbështetja më e rëndësishme konkrete dhe financiare që Shqipëria ka marrë nga SHBA që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1990 dhe pas anëtarësimit të vendit në NATO.
Ministri thekson se marrëveshja nuk përfaqëson vetëm një instrument financiar, por një investim strategjik që do të kontribuojë në forcimin e sigurisë kombëtare në kuadër të NATO 3.0.
“Ajo nuk është thjesht një instrument financiar, por një investim strategjik për: sigurinë kombëtare në kuadër të NATO 3.0 dhe angazhimit të vendit tonë si aleat i përkushtuar në Aleancë. forcimin e kapaciteteve dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura; thellimin e partneritetit strategjik të Shqipërisë me aleatin tonë më të rëndësishëm në siguri dhe mbrojtje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Nufi në rrjetet sociale.
(A2 Televizion)