Para protestës së datës 15 mars kundër mbylljes së TikTok, Sali Berisha kërkon akte të forta edhe nga nxënësit, prej të cilëve pret që të revoltohen duke bojkotuar mësimin ditën e hënë. Lideri demokrat pohoi se bojkoti i mësimit është nisja e protestës, e cila do të ndalet vetëm me rihapjen e këtij rrjeti social.
“Ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet. Që ditën e hënë për shembull orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë. U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë fëmijët të paktën orën e parë”, u shpreh Berisha.
Mbylljen e TikTok e krahason me censurën në komunizëm. Kreu i demokratëve premton se nëse në 11 maj merr besimin e shqiptarëve, akti i parë si kryeministër do të jetë rihapja e rrjetit social.
“Vendim ditën e parë të qeverisë do të jetë lirimi i menjëhershëm, heqja e bllokimit të TikTok dhe padi për Edi Ramën për aktin madhor të censurës dhe mashtrimit publik. Thotë se ka konsultuar mbi 60 mijë prindër, mashtrues i paskrupullt”, u shpreh Berisha.
Padia kundër Ramës nuk do të jetë akti i vetëm, pasi Berisha premton dhe esktradim të kreut të qeverisë në SHBA, duke nënkuptuar probleme ligjore të Kryeministrit me drejtësinë amerikane.
“Unë u garantoj se Edi Rama do ekstradohet pas 11 majit në SHBA. Atë e pret ekstradimi. Ose pastaj do vijnë të gjykohen këtu, një gjyq i përbashkët. Por më shumë të shkojë atje ku ka kryer krimin!”, theksoi kreu demokrat.
Lidhur me koalicionin “Shqipëria Madhështore”, lideri i opozitës pohoi se ende nuk ka vendosur se si do pozicionohen aleatët e vegjël në listën e kandidatëve për deputetë, por njërin prej tyre e veçon në vlerësim.
“Kujtim Gjuzi 100 herë më i mirë se Rama për kryeministër”. (A2 Televizion)