“Me Gjin Gjonin dhe Arjan Ndojin nuk shkoni përpara”, Bala: Demokratët në Primare, Meta në listë të sigurt

Nga A2 CNN
1 Mars 2025, 21:26 | Politikë

“Me Gjin Gjonin dhe Arjan Ndojin nuk shkoni përpara”, Bala:

 

Një debat i ashpër është zhvilluar në “Off the Record” me Andrea Dangllin ku po diskutohej çështja e primareve në Partinë Demokratike që u mbajtën të shtunën.

E teksa zyrtarët e PD, Besar Xhaferri dhe Akil Kaja e vlerësuan këtë proces si demokratik dhe që iu jep fuqi qytetarëve për të zgjedhur të preferuarin e tyre, analisti Anri Bala nuk ka qenë i këtij mendimi.

Bala përmendi emrat e dy kandidatëve në primaret e PD që sipas tij janë simbol i korrupsionit e madje njërit prej tyre i është bërë atentat kur ka qenë në makinë me një kriminel.

Analisti mes të tjerash shtoi se demokratët nuk janë të kënaqur dhe me situatën kur kandidatët e PD duhet t’i nënshtrohen primareve, teksa aleatët do të zenë një vend të sigurt në listën e 11 majit.

“Ishte shumë e vonuar koha kur u bë. Nuk iu le kohë kandidatëve të shpalosin platforma. Kjo klimë krijon një debat të brendshëm. Mangësi e primareve është se deputetët e PD janë primare, kursë aleatët si Meta nuk do të jenë në primare.

Demokratët nuk kanë ndonjë idilizëm për zotin Meta. Përkeqësimin e situatës në PD ja kanë faturuar Metës, si i korruptuar. Demokratët nuk janë shumë të kënaqur me Ilir Metën. Me Gjin Gjonin dhe Arjan Ndojin nuk shkoni dot përpara.

Gjoni është konsideruar si etaloni i korrupsionit në drejtësi. Unë nuk po them se ata janë më të mirë se ju”, tha Bala. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos