“Vërteton vjedhjen e votave”- Deputeti i PD: Rama nuk i do 83 mandate, i dolën zgjedhjet jashtë kontrollit

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 21:01 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është shprehur se kryeministrit Edi Rama i doli situata jashtë kontrollit dhe sipas tij, mori më shumë mandate sesa kishte planifikuar.

Komentet Baçi i bëri në një intervistë për ‘Ditari i Pasdites’ me gazetaren Bruna Çifligu në A2 CNN, ku tha se rezultati që ka arritur PS në zgjedhjet e 11 majit, vërteton vjedhjen masive të votës.

Baçi tha se Rama u frikësua nga pakënaqësia e madhe popullore dhe vodhi më shumë vota sesa kishte menduar, duke bërë sipas tij, që tani të mos e menaxhojë dot këtë rezultat.

“I frikësuar nga pakënaqësia e madhe popullore, i frikësuar edhe sepse PD i doli jashtë kontrollit pas zgjedhjeve të vitit 2021, i mëshoi aq fort manipulimit të votës, blerjes së votës, aq sa i doli nga kontrolli dhe po ta vini re janë të pakënaqur tani sepse nuk menaxhojnë dot fitoren që iu doli. Pra 83 mandate janë jashtë kontrollit.

Nuk e kanë pritur dhe nuk e kanë dashur një gjë të tillë. Kjo është një vërtetim katërcipërisht i vjedhjes, i grabitjes, i atij manipulimi që përgatiti dhe nga frika doli nga kontrolli dhe një rezultat i tillë është i papranueshëm. Të imagjinosh që një mazhorancë në mandatin e katërt të pësojë rritje të elektoratit, rritje të numrit të mandateve.

Është e palogjikshme edhe për një qytetar të thjeshtë që nuk merret me zgjedhjet. Në mandatin e pestë sipas Ramës duhet t’i marrë të gjithë deputetët dhe këtu pastaj duhet të kemi disa leva, disa organizata masazh, siç synoi Rama ti krijonte më parë dhe pastaj të qeverisi i vetëm”, tha Baçi, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos