Berisha në Asamblenë e PPE: Zgjedhjet u manipuluan, jemi në situatë të vështirë

Nga A2 CNN
3 Qershor 2025, 19:59 | Politikë

Akuzat për manipulim të zgjedhjeve të 11 majit Sali Berisha i artikuloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Partive Popullore Evropiane. 

Në Bruksel ku ishte i ftuar në këtë takim të partive simotra të PD, lideri i opozitës u ankua për tjetërsimin e votës që sipas tij ka ndodhur në zgjedhjet e 11 majit, shkruan A2 CNN.

“Në këto zgjedhje, i gjithë shteti u shndërrua në një trupë elektorale. U përdorën fuqitë financiare, njerëzore, logjistike, ekzekutive, pa kufij për të ndaluar, për të kontrolluar dhe për të manipuluar votën e qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Bonusi i dhënë për pensionistët pak javë para zgjedhjeve ishte shembulli i përmendur nga Berisha për të bindur partitë e djathta evropiane se zgjedhjet në Shqipëri nuk ishin të lira. 

Para liderve të partive anëtarë të PPE, akuzoi qeverinë Rama se përdori administratën dhe patronazhistët për të manipuluar votat, pasi siç tha kishin në duar të dhënat personave të të gjithë qytetarëve. 

“Nga ana tjetër, siç e dini, Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Europë. Kryeministri i Shqipërisë dha 138 licenca për kultivim droge. Nëse ligji lejon kultivimin për qëllime mjekësore në vetëm 200 hektarë, këtë herë ai dha 29,000 hektarë – një shifër që përkthehet në më shumë se 100 milionë rrënjë kanabis. Një rrënjë ka vlerë nga 500 deri në 1,000 euro. Kjo ishte, pak a shumë, atmosfera në të cilën u zhvilluan këto zgjedhje”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se vendi ndodhet në një situatë të vështirë, ndaj kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve.

“Ndihma që kërkoj nga PPE-ja dhe partitë simotra është dërgimi i një misioni verifikues në vendin tim, një mision fakt-mbledhës, që do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet tuaja”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos