Vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka dërguar një mesazh të fortë mobilizues për të gjitha strukturat e PD-së në të gjithë vendin. Në një komunikim drejtuar udhëheqësve politikë të qarqeve, kryesive të degëve, kandidatëve për deputetë dhe shtabeve elektorale, Berisha e cilëson këtë periudhë si vendimtare për fitoren.
“Këto janë ditët vendimtare! Çdo orë kushton sa një ditë!” – thuhet në mesazhin e tij, ku theksohet domosdoshmëria për intensifikimin maksimal të fushatës elektorale.
Berisha kërkon angazhim të plotë të udhëheqësve politikë të qarqeve, drejtuesve lokalë dhe kandidatëve të listave të mbyllura dhe të hapura, duke u bërë thirrje të punojnë së paku 16 orë në ditë. Ai i cilëson këto orë si vendimtare për suksesin e PD-së në zgjedhje.
“Mobilizoni të gjitha forcat dhe energjitë për përmbushjen e këtij misioni! ‘Shqipëria Madhështore’! Fitore!” përfundon mesazhi i Berishës.
Ky mesazh vjen në një moment ku gara elektorale është intensifikuar, dhe të gjitha palët politike po shfrytëzojnë ditët e fundit për të fituar mbështetjen e votuesve në të gjithë vendin. (A2 Televizion)