Gjatë ndalesës së radhës elektorale në Gjirokastër kryeministri Edi Rama, ironizoi sërish Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj Sali Berisha për kontratën e lobimit në SHBA me vlerë 6 milionë dollarë. Duke iu referuar gafës së dikurshme të Lulzim Bashës “7x7=42”, Rama tha se tashmë “7x7 është bërë 6 milionë”. Ai u shpreh me ironi ndaj pretendimeve të PD-së për fondacionin MAGA, përmes të cilit pretendohet se është financuar lobimi.
“Befasisht, 3 patriotë nga e njëjta familje u lindi në zemër të nxjerrin 6 milionë që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta. Është e habitshme se si pastaj, në kënete thuhet ca janë këto 6 mln, këto s’janë asgjë me çfarë ka bërë narko regjimi, çfarë ka bërë Rama me qeverinë, është fundi ky”.
Rama kritikoi mungesën e transparencës rreth burimit të fondeve për këtë lobim, duke e cilësuar atë absurde dhe duke e krahasuar me "kënetën" politike. Ai aludoi për manipulime dhe shkelje të mundshme që lidhen me këtë kontratë.
Në vijim të fjalimit, ai theksoi arritjet e qeverisë në drejtim të zhvillimit të turizmit dhe infrastrukturës, duke marrë si shembull Gjirokastrën.
“Nga 6 mijë turistë që priste Gjirokastra, vitin e kaluar u vizitua nga 600 mijë turistë. Kjo është prova se si rilindja ka transformuar një qytet që ishte lënë të vdiste.”
Rama shpalosi gjithashtu vizionin për Shqipërinë 2030, duke e paraqitur si një vend modern, të zhvilluar, të integruar dhe me një ekonomi të qëndrueshme. (A2 Televizion)