Berisha në Peqin, premton pension minimal 200 euro dhe rritje pagash brenda 100 ditëve

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 11:30 | Politikë

Berisha në Peqin, premton pension minimal 200 euro dhe rritje pagash brenda

Nuk do të ketë më asnjë pensionist me pension më të ulët se 200 euro. Këtë premtim dha sërish edhe nga Peqini ish-kryeministri Sali Berisha ku prezantoi kandidatët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

“Kjo Shqipëri është bërë e pajetueshme, sepse pensionistët, që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro. Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë”, u shpreh Berisha.

Sipas tij kjo është padrejtësi që duhet ndalur menjëherë. Ai premtoi gjithashtu se paga minimale do të jetë jo më pak se 500 euro, ndërsa paga mesatare do të arrijë në 1250 euro. Mësuesit, sipas tij, nuk do të paguhen më nën 1500 euro.

Duke e cilësuar këtë si një “ndryshim epokal”, Berisha bëri thirrje për bashkim të qytetarëve në mbështetje të opozitës për të përmbysur, siç tha ai, një sistem që ka prodhuar varfëri dhe emigracion masiv.

“U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro”.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi edhe mungesën e mbështetjes për fermerët, që sipas tij janë lënë pas dore dhe nuk mund të konkurrojnë me vendet fqinje. Ai kritikoi qeverinë Rama për keqmenaxhim të buxhetit dhe për prioritetet që nuk i shërbejnë qytetarëve.

“Me 11 maj vendosni për jetën tuaj, për dinjitetin tuaj,” u shpreh Berisha para mbështetësve të tij në Peqin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos