Problemet me ndarjen e zarfeve të votimit në Greqi, Rama thirrje emigrantëve: Merreni vetë në postë, mos e lini si letër pa vlerë

Nga A2 CNN
3 Maj 2025, 12:50 | Politikë

Problemet me shpërndarjen e zarfeve me fletat e votimit për emigrantët shqiptarë në Greqi janë komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me elektoratin në Gjirokastër. Sipas kryesocialistit në Greqi u bë një mishmash me ndarjen e zarfeve, ndërsa u bëri thirrje emigrantëve që të votojnë për të marrë në duar pasaportën europiane.

“Duke shpresuar dhe besuar që na shohin nga Greqia. Ju them, ju që jeni regjistruar për të votuar. U bë një mishmash, jo DHL, jo ku e di unë se ca. Por, tanimë mundësia është. Do ju lutesha atyre që janë regjistruar, të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor, për t’iu dhënë fëmijëve në Greqi dhe vetes tyre, këtë pasaportë europiane. Shqiptarët e Greqisë e janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se gjithë shqiptarët, se ca do të thotë. Kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë në aeroporte të mos na nxjerrin ashtu si të huaj, si qytetarë të dorës së dytë, për të filluar të na kontrollojnë”.

Teksa na ndajnë edhe 8 ditë nga zgjedhjet, Rama u kërkoi emigrantëve në Greqi që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit, që të shkojnë vetë në pikat postare që të marrin zarfin dhe të votojnë. Sipas Ramës, vota e tyre nuk mund të mbetet rrugëve si një copë letre pa vlerë.

“Ata që kanë kaluar malet, që janë rropatur dhe presin me ankth a do ju njihet pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, nuk mund ta lënë votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letre pa vlerë. Duhet të shkojnë e ta marrin me çdo kusht dhe ta dërgojnë në Tiranë. ka edhe disa ditë kohë, është e mundur, u bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë”.

Nga sheshi i Çerçizit, për të cilin tha se kur mori qeverisjen ishte një parkim për autobusë, por sot është transformuar, Rama tha se Gjirokastra priste 6 mijë turistë në vit, ndërsa vjet u vizitua nga 600 mijë të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos