Mëngjesin e sotëm kanë nisur të mbërrijnë në Durrës materialet zgjedhore, ndërsa paradite, pavarësisht se kjo e shtunë konsiderohet ditë pushimi, në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” është vënë re një lëvizje e shtuar.
Mjete të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë transportuar pranë KZAZ nr. 23 në Durrës materialet zgjedhore të nevojshme për procesin e numërimit të votave.
Siç shihet edhe nga pamjet, procesi është mbikëqyrur nga afër nga efektivë të Drejtorisë së Policisë Durrës, të cilët kanë për detyrë të garantojnë sigurinë dhe paprekshmërinë e këtyre materialeve deri në përfundim të procesit zgjedhor.
Kujtojmë se Bashkia Durrës ka në total katër KZAZ (nr. 21, 22, 23 dhe 24), ndërkohë që bashkitë Shijak dhe Krujë kanë secila nga një Komision Zonal të Administrimit Zgjedhor.
Në total, në Durrës, Shijak dhe Krujë janë regjistruar 377,020 zgjedhës, përfshirë 25,037 emigrantë me të drejtë vote. Konkretisht, Durrësi përbën pjesën dërrmuese të trupës zgjedhore me 272,888 votues të regjistruar, ndjekur nga Kruja me 66,140 dhe Shijaku me 37,992 votues gjithsej. (A2 Televizion)