Pas Peqinit kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u zhvendos në Gramsh. Gjatë takimit me elektoratin mbështetës në zgjedhjet e 11 majit, kryedemokrati tha se i njihte nevojat e kësaj zone. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se Gramshi është braktisur nga qeveria dhe ka pësuar një rënie dramatike në të gjitha drejtimet.
“Rruga e Kodovjatit ka mbetur aty ku e lamë në vitin 2013. Janë dhjetëra fshatra pa asnjë akses në infrastrukturë. Shëndetësia është kthyer si në vitin 1960. Një mjeke më tha se shërben për 8 mijë banorë në zona rurale, sepse mjekët ikin, vetëm ikin,” deklaroi Berisha.
Ai vlerësoi pasuritë natyrore të Gramshit, si pemëtaria, turizmi malor dhe liqeni i Banjës, por theksoi se këto burime nuk përkthehen në mirëqenie për qytetarët. “Nga 50 mijë banorë, sot Gramshi ka vetëm 16 mijë. Të rinjtë largohen sepse nuk ka as shpresë, as punë,” u shpreh ai.
Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion të thellë, duke sjellë shembuj të kostove të fryra të rrugëve dhe projekteve si inceneratori i Tiranës. “Paratë që duhet të ishin për rroga dhe pensione, janë zhdukur në tendera të dyshimtë,” tha ai.
Ai bëri thirrje për një qeveri që i kthen pasuritë dhe buxhetin qytetarëve, jo një që i varfëron dhe i detyron të emigrojnë.
Berisha premtoi se Gramshi do jetë prioriteti i tij kryesor me investime 70 milionë euro çdo vit për vaditje, kullim dhe mirëmbajtje të tokës. (A2 Televizion)