Mesila Doda 'po tradhton' PD-në? Gaz Bardhi zbërthen raportet me PDIU: Dje fola 30 minuta me Shpëtim Idrizin

Nga A2 CNN
17 Shtator 2025, 20:48 | Politikë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka sqaruar në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, pozicionin e ligjvënëses Mesila Doda, e cila vjen nga radhët e PDIU, por e fitoi mandatin nga lista e sigurtë e koalicionit PD-Aleanca Shqipëria Madhështore në zgjedhjet e 11 majit.

Bardhi nënvizoi se deri në këtë moment PD është në koordinim të përditshëm me të gjithë aleatët dhe kur u pyet nëse ky koordinim vlen edhe për PDIU, tha: “Absolutisht po”.

Sipas Bardhit, regjistrimi i Dodës si deputete e pavarur është procedurë normale parlamentare në kushtet kur subjekti politik që ajo përfaqëson nuk i ka 7 deputetë për të formuar një grup parlamentar.

Më tej ai shtoi se ka pasur bisedë telefonike me Mesila Dodën dhe kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizin ku kanë diskutuar për vijueshmërinë e aksionit opozitar në Parlament.

“Zonja Doda nuk është deputete e PD. Ajo është deputete e PDIU dhe është në Kuvendin e Shqipërisë si deputete e asaj force politike. Duke qenë se nuk ka grup parlamentar pasi ka vetëm një deputet ajo parti, zonja Doda është regjistruar si deputete e pavarur. Është procedurë normale parlamentare. Krejt normale. Nëse e kujtoj saktë vetëm dje mund të kem folur mbi 30 minuta për çështje që lidheshin me atë që po ndodhte në sallën e Kuvendit edhe me kryetarin e Partisë dhe me zonjën Doda që përfaqëson atë parti në Kuvend. Dhe kemi shkëmbyer mendime se si do të silleshim në atë seancë. Me atë akt antikushtetues që po kryente mazhoranca. Zonja Doda në dijeninë time është deklaruar si deputete në opozitë me qeverinë e Edi Ramës”, sqaroi Bardhi në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos