Mosbindja civile e PD nis në 17:00, çfarë po ndodh te rrethrrotullimi i Rrogozhinës?

Nga A2 CNN
29 Tetor 2024, 16:31 | Politikë
 

Duke nisur nga ora 17:00 e pasdites deri në 20:00 të mbrëmjes, Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj do të bllokojnë akset rrugore në 6 pika të rëndësishme të vendit si Kthesa e Kamzës, rrethrrotullimet e Shkozetit, Bradasheshit, Levanit dhe Rrogozhinës, si dhe kryqëzimi i Milotit.

Protesta e kësaj të hëne është në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike.

Teksa na ndajnë edhe 30 minuta nga nisja e protestës, gazetari i A2 CNN Ervin Koçi, i cili ndodhet në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, raportoi në “Ditar” se do të jenë tre deputetë të PD që do të organizojnë e drejtojnë turmën për të kryer bllokimin e kësaj nyje nevralgjike të qarkullimit rrugor në vend.

“Qarkullimi rrugor në aksin Rrogozhinë-Lushnje vazhdon normalisht nuk ka ende bllokim të aksit pasi edhe protesta do të nisë nga ora 17:00. Duhet të theksohet se ky rrethrrotullim është një ndër nyjet kryesore të qarkullimit rrugor pasi ligj jugun me qendrën e vendit dhe veriun. Janë tre deputetë të PD që do të udhëheqin qytetarët që do bllokojnë rrugën, Dashnor Sula, Bledion Nallbati dhe Ilda Dhori së bashku me përfaqësues të PD në degët lokale”, raportoi Koçi.

Sakaq, forcat e policisë kanë marrë të gjitha masat për të garantuar ecurinë e tubimit, apo parandaluar çdo lloj përplasje mes protestuesve dhe drejtuesve të mjeteve, të cilët mund të reagojnë kundër kësaj forme të mosbindjes civile.

“Gjatë mbërritjes në stacionimin ku ndodhemi aktualisht ne vërejtëm tre furgona policie, të cilët duket se kanë marrë masat për të garantuar mbarëvajtjen e tubimit, por edhe për të shmangur përplasje të mundshme mes përfaqësuesve të opozitës dhe drejtuesve të automjeteve, pasi mund të ketë edhe gjaknxehtësi në momentin që bllokohet rruga”, raportoi më tej gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos