Kuvendi nisi sërish punën për arnimin e Kodit Zgjedhor nëpërmjet komisionit të posaçëm me bashkëdrejtim mes PS dhe PD. Në mbledhjen e tij të parë, socialistët nuk i nxorën të gjitha kartat mbi tavolinë, por treguan se janë të hapur për çdo çështje, edhe përtej rekomandimeve të ODIHR-it.
Demokratët, më shumë sesa optimistë, janë skeptikë për besnikërinë e socialistëve sa i përket konsensusit. Ndryshimet kushtetuese pesë vite më parë, të bëra në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca, konsiderohen si një precedent i rrezikshëm.
Opozita listoi çështjet që janë shqetësuese: listat, shitblerja e votës, sanksionet penale deri te vota e emigrantëve, por me një objektiv të qartë — rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
Folësit e shumtë nga radhët e opozitës dhe akuzat e tyre ndaj mazhorancës vunë në lëvizje edhe socialistët, të cilët mbrojtën rezultatin e 11 majit, shkruan A2 CNN.
Deputeti demokrat Arjan Ndoi tregoi arsyet pse opozita nuk e braktis Parlamentin.
Pavarësisht mungesës së besimit nga ana e demokratëve, socialistët synojnë t’i mbyllin ndryshimet në Kod brenda vitit 2026.
Në konstituimin e komisionit të posaçëm mungoi anëtari i Partisë së Mundësisë, ndërsa të dy bashkëkryetarët vendosën t’i drejtohen ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias me një letër për ekspertizën e tyre. Politika shqiptare ka ende nevojë për arbitër ndërkombëtarë. (A2 Televizion)
