“Në PD janë barngrënës, si SMT e kooperativave”, Agron Tufa: Berisha duhet të hapë rrugë, kupola e padurueshme

Nga A2 CNN
14 Qershor 2025, 22:47 | Politikë
“Në PD janë barngrënës, si SMT e kooperativave”,

Shkrimtari Agron Tufa thotë se ka ardhur momenti që Sali Berisha të hapë krahun dhe bashkë me njerëzit që mban afër, t’i lënë vendin të rinjve në Partinë Demokratike.

“PD duhet të rikonceptohet, të rilindë, të ringrihet, duhet të nxjerrë figura që japin shpresë, një mentalitet dhe psikologji të re, një elitë e re politike. PD është bërë si SMT-të e kooperativave, me ato burokratë që i riciklon dhe i fut në listat e mbyllura. PD vazhdon prej 15 vitesh të korrë frytet e hipokrizisë së saj”, tha Tufa në “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN.

“Mënyrat e saj dolën që nuk janë më të efektshme. Duhet ndryshuar tërësisht përbërja, mentaliteti, filozofia, uria për fitore. Besoj se një pjesë e madhe e burokracisë së PD, sa herë që dalin në TV ia heqin nga 1000-2000 vota opozitës. Janë bërë të padurueshëm, të pahonepsshëm. Kjo është një xhungël politike. Nëse je barngrënës, në luftën për ekzistencë fiton mishngrënësi. Ata janë provuar në disa raunde që nuk fitojnë. Nuk duhet të kishin hyrë në zgjedhje, por nëse kanë hyrë, duhet të japin llogari. Pres nga fundi i këtij viti, një rikonceptim, një rindërtim, një model të ri të një partie opozitare”, tha ai në Off The Record.

I pyetur nga Andrea Danglli se kush duhet ta udhëheqë këtë reformim dhe a mund ta bëjë vetë Berisha, Tufa përgjigjet:

“Berisha është i vetmi termocentral energjie të pashtershme. Por është diku 80 vjeç, plot energji lavdi zotit, por ka një mandat të limituar, për vet moshën. Do apo s’do ai do të hapë rrugë zhvillimeve të reja. Nëse është ndryshe, atëherë ajo parti do të mbahet monument kulture për një pakicë. Kjo do të jetë gjëja më e keqe e mundshme”, tha Tufa për Off the Record. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos