Fatmir Xhafaj, kandidat në listë të hapur të Partisë Sociliste në Tiranë, ishte i ftuar pasditen e së enjtes në Ditarin nga Bruna Çifligu në A2 CNN, ku foli për pritshmëritë e mazhorancës në 11 maj.
“Ka qenë një fushatë e qetë, e dominuar sa nga lidershipet kryesore aq edhe nga konkurrenca, gara dhe konkurrimi ndërmjet kandidatëve brenda forcave politike. Ky lloj konkurrimi ka krijuar një avantazh të madh pasi ka pasur një komunikim intensiv me zgjedhësit. Për mua nuk ka ndonjë ndryshim pasi jam në habitatin tim natyral pasi në karrierën time kam pasur rast të kandidoj për 3 mandate në mazhoritar, që është një garë shumë më e ashpër, më e drejtpërdrejtë dhe shumë më e lidhur me zgjedhësit. Edhe 4 vite më parë ishte e njëllojtë për mua dhe është një ushtrim i bërë për mua. Konstatoj se ka ndryshuar shumë elektorati. Qytetarët janë bërë shumë më kërkues ndaj kandidatit”, tha Xhafaj.
Më tej, Xhafaj komentoi edhe optimizmin e Ramës këtë të enjte në Kuç të Vlorës, aty ku parashikoi se mazhoranca do të marrë më shumë se 78 mandate. Xhafaj tha se në Tiranë, PS-ja do të marrë 19 mandate.
“Kuçi është një fshat shumë interesant dhe si zgjedhje simbolike nuk është zgjedhje e keqe. Unë besoj se ai ka të gjithë informacionin e nevojshëm për të dhënë të dhënë një rezultat në shkallë kombëtare që nuk e kam unë. Mua më duhet ta besoj atë sepse është kryetari i partisë dhe kryeministri i vendit. Unë besoj se qasja optimiste që ai demonstroi me shifrat i përgjigjet realitetit. Unë e shoh atë të projektuar në Tiranë. Shoh një qasje pozitive edhe pas 3 mandateve ndaj elektoratit ndaj nesh. Në Tiranë, unë besoj se ne do të marrim 19 mandate”, tha Xhafaj. (A2 Televizion)