Sali Berisha në daljen e sotme për mediat ka reaguar për lajmin e publikuar ditën e djeshme nga gazetari amerikan Marc Caputo, i cili duke iu referuar Departamentit Amerikan të Shtetit tha se kreu i PD mund të udhëtojë lirisht për në SHBA.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”, ishte sipas Caputo përgjigja e DASH për të, kur iu drejtoi pyetjen për statusin e vizës së Berishës.
Vetë kreu i opozitës tha nga selia blu tha se kjo përgjigje e DASH tregon se “vendimet politizuese të administratës Biden, që ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi”.
“Lajm rajonal i Shqipërisë, por dhe në botë, është lajmi në të cilin DASH i SHBA-së i drejtuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shpreh qëndrimin e tij në përgjigjen e dhënë një gazetari të njohur, se ai nuk përkrah dhe nuk mbështet vendimet politike, apo qëndrimet politiziuese të administratës së Biden, në këtë rast për Sali Berishën. Në këtë mënyrë DASH jep përgjigjen më të fuqishme atyre përpjekjeve që u bënë për një Shqipëri pa opozitë nga Edi Rama në mendësinë e etërve të tij, Xhorxh Soros dhe Antoni Blinken. Ky vendim i një rëndësie të madhe, shkëputjes dhe mospranimit të vendimeve politizues, përpjekjeve të administratës së mëparshme që për shkak të lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe Sorosit, të ndëshkonin opozitën konservatore, përfunduan njëlloj si ai firmosi, aty ku e kanë vendin”, tha Berisha.
Berisha më tej falënderoi DASH-in por edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio e administratën Trump për ato që i cilësoi “qëndrime jashtë zakonisht të rëndësishme, kundër vendimeve të ekstremit të majtë” dhe “forcave antidemokratike, të majta në Shqipëri dhe kudo në botë”.
I pyetur më pas nga gazetarët se kur do të udhëtojë për në SHBA, Berisha tha se aktualisht ndodhet në fushatë elektorale dhe ditët kulmore të saj para zgjedhjeve të 11 majit, por nëse do të gjendej në një kohë më të përshtatshme do të kishte bërë udhëtimin përtej Atlantikut.
“Unë vendimin e mora vesh mbrëmë, në të njëjtën kohë që e morët vesh dhe ju. Nuk kisha ndonjë plan për udhëtim dhe natyrisht nuk mund të them se do të udhëtojë këto 2-3 ditë sepse janë ditët e kulmit të fushatës. Sigurisht në një kohë më të përshtatshme do kisha shkuar, por ky vendim nuk humbet vlerë, është një vendim jashtëzakonisht i çmuar”, deklaroi Berisha. (A2 Televizion)