Nga partia te “non grata”, si ndryshoi kontrata e lobimit të PD në SHBA

Nga Ervin Koçi
5 Gusht 2025, 14:46 | Politikë

Lidhja e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike në SHBA ishte një moment që në fushatën për parlamentaret e 11 majit, Sali Berisha u mundua ta kapitalizonte duke tentuar edhe marrjen e një vize të përkohshme. Por planet nuk dolën siç nisën dhe nga një kontratë për të promovuar politikat e PD, tashmë duket se është kthyer në një instrument për të tentuar heqjen e non gratës së kryetarit.

Kompanisë së pajtuar për të ofruar këto shërbime iu kërkua fillimisht që të avokonte në Departamentin Amerikan të Shtetit aksionin politik të PD, përfshirë edhe akuzat ndaj qeverisë së Edi Ramës. Të paktën këto ishin fjalët e shkruara në kontratën e firmosur me vlerë totale 6 milionë dollarë.

“Kompania bie dakord t’i ofrojë klientit shërbime të marrëdhënieve me qeverinë në lidhje me këtë fushë shërbimesh:

•             Krijimin e marrëdhënieve me palë kyçe të interesit në degët ekzekutive dhe legjislative, për të lehtësuar zhvillimin e politikave.

•             Ofrimin e mbështetjes për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare, në përputhje me marrëdhëniet SHBA–Shqipëri.

•             Përdorimin e përvojës së gjerë në marrëdhënie qeveritare, avokim politik, shërbime ligjore dhe angazhim me palët e interesuara, të përafruara me objektivat e Partisë Demokratike”, thuhet në kontratë.

Me përfundimin e zgjedhjeve dhe humbjen e tyre, demokratët duket se e ndryshuan edhe objektin e kontratës, duke zyrtarizuar atë që gjerësisht mendohej se ishte synimi kryesor por i pashpallur i këtij lobimi. Duke qenë se ajo ishte me afat dy vjeçar, dhe pagesat disbursoheshin me këste tre mujore. Fillimisht u mendua se bashkëpunimi mund të ndërpritej në përfundim të muajt qershor, por PD e rinovoi atë, këtë herë me një fokus tjetër, kërkesë direkte Marco Rubios për t’i hequr non gratën Sali Berishës. 

 “Shpallja ‘non grata’ e ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, duhet të hiqet menjëherë. Kjo shpallje ka qenë e motivuar politikisht, pa bazë faktike, ka dëmtuar interesat e politikës së jashtme të SHBA dhe ka kontribuar në degradimin e Shqipërisë në atë që kritikët e përshkruajnë sot si një ‘narco-shtet’. Duke qenë se demokracia shqiptare është nën kërcënim serioz dhe Berisha nuk mban asnjë funksion qeveritar, heqja e shpalljes do të rikthente neutralitetin dhe besueshmërinë e SHBA-së në rajon”, thuhet në letrën drejtuar Rubios.

Nga muaj prill e deri më tani, kompania Continental Strategy  i është drejtuar 13 herë Departamentit Amerikan të Shtetit me dokumente informuese, ku shpreh qëndrime publike nga të cilat mbi 10 të tilla lidhen vetëm me çështjen e shpalljes non grata të Sali Berishës. Deri më tani nga DASH nuk ka asnjë vendim publik që mund të impaktojë heqjen e non gratës, por një reagim ka nga SPAK i cili zyrtarisht ka nisur verifikimin e kësaj kontrata dhe fondet për financimin e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos