Tha se qeveria u ka bërë presion vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, MEPJ i përgjigjet Berishës

Nga A2 CNN
4 Gusht 2025, 16:43 | Politikë

Tha se qeveria u ka bërë presion vëzhguesve të OSBE/ODIHR

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas akuzave të kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha se qeveria i ka bërë presion vëzhguesve ndërkombëtarë për raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ministria sqaron se “nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre”.

“Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:

Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre”, thuhet në reagimin e Ministrisë së jashtme.

Sipas saj “është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova”.

“Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues”, thuhet në reagimin e MEPJ.

Ministria sqaron gjithashtu se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.

“MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR”,  përfundon deklarata e MEPJ. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos