Kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në skadimin e masës së pezullimit ndaj Kuvendit të Kosovës të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, analistët shpresojnë në një vendim të ri të shpejtë e të qartë.
Pasi paraprakisht iu dha 30 ditë kohë për konstituimin e Kuvendit, Kushtetuesja vendosi për një masë të përkohshme dyjavore për deputetët që do të përfundojë këtë të premte më 8 gusht.
“Është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese në mënyrë më të qartë ta bëjë thirrje që të kristalizohet kjo rrugë ndërkohë a do të mund të dalim prej kësaj krize politike kjo varet prej vullnetit të partive politike”, deklaroi analisti Afrim Kasolli.
PDK dhe LDK kanë kontestuar insistimin për të pasur një votim të fshehtë për të zgjedhur kreun e Parlamentit, ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar sqarime shtesë për pasojat juridike pasi Kuvendi nuk u konstituua në afatin e përcaktuar prej 30 ditësh.
Skenarët e mundshëm janë nga dhënia e një kohe shtesë për deputetët për konstituim e deri te djegia e mandateve për deputetët që do të thoshte zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Pse qytetarët duhet të votojnë për aq kohë sa subjektet të cilat janë mandatuar nga këta për ta materializuar vullnetin e tyre e mbajnë peng atë dhe ne jemi në një situatë ku subjektet politike jo aq për shkak të paqartësive që ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës por për shkak të paaftësive së tyre realisht e kanë marr peng vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës”, thotë analisti Afrim Kasolli.
Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë detaje se kur do të ketë një vendimmarrje për çështjen e Kuvendit të Kosovës.
“Pas vendimit për vendosjen ex-officio të masës së përkohshme, Gjykata do të nxjerr vendim meritor përkitazi me kërkesat e parashtruara rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, citon A2 CNN Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Kosova mbajti zgjedhjet para 6 muajsh, ndërsa seanca konstituive nisi më 15 prill.
Deri më 26 korrik u bënë 54 përpjekje të pasuksesshme për të zgjedhur kreun dhe nënkryetarët e Kuvendit e që do të konsiderohej si legjislaturë e konstituuar. (A2 Televizion)