Doriana Musaj, zëdhënëse e fushatës së koalicionit Euroatlantik, ishte e ftuar këtë të diel në emisionin "Off the Record" me Andrea Danglli në A2 CNN, nga ku zbuloi sesi nisi “dashuria” në rrjetet sociale mes kryeministrit Edi Rama dhe Lulzim Bashës, të cilët prej ditësh kanë pushtuar rrjetin me “serialin” e videove “Zgjimi i Lulit”, “7x7 =313” dhe “Ku i ke shokët”.
“Te video e parë kam qenë prezente kur e zhvilloi. Ishte krejtësisht ide e Lulzim Bashës. Ne po mbanin një takim në një nga njësitë në kryeqytet me grupseksionin, ku ishte edhe zonja Orjola Pampuri. Ai erdhi dhe e bëri videon aty. Ishte një surprizë për të gjithë. Të gjithë të pranishmit panë Bashën karizmatik. Basha si politikan ka qenë në fushata me këtë profil të thjeshtë në terren. Ai e ka mbajtur këtë lloj thjeshtësie në mënyrën e të veshurit.
Për zëdhënësen e fushatës së koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha është ai që e udhëheq këtë diskutim në rrjetet sociale.
“Ajo që dallon është kontrasti ku janë vendosur të dy dhe si Rama duket i plakur në atë retorikën e vet karizmatike, ish-karizmatike dhe Basha është kontrasti pikërisht që e vendosi. Basha e udhëheq të gjithë diskutimin. Surpriza është gjithmonë Basha. Një e dhjeta e klikimeve është te kryeministri. Njerëzit janë kuriozë se çfarë do të thotë Basha”, tha Musaj. (A2 Televizion)