“Rama ka frikë nga Binaj”, Mziu: Sondazhet e nxjerrin Florin fitues

Nga A2 CNN
26 Tetor 2025, 21:23 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, i ftuar në studion e "Terminal" nga Aurora Sulçe, në A2 CNN, deklaroi se fakti që kryeministri Edi Rama flet për Florjan Binajn, tregon që kreu i qeverisë ka frikë nga kandidati që mbështet opozita për kryebashkiak të Tiranës.

“Të gjitha sondazhet e nxjerrin absolutisht fitues Florjan Binajn. U hoq Tirana për në datën 9 nëntor sepse Rama ka frikë. Donte që e gjithë Shqipëria të përqendrohej për zgjedhjet e Tiranës. Sot, kemi në krye një aktor jo humori, por korrupsioni. Edi Rama është aktori kryesor i korrupsionit në Shqipëri. Ky kryeministër ka pushtetin vendor, pushtetin qendror, pushtetin e drejtësisë, pushtetin e medias… ky e trajton Shqipërinë më keq sesa një Mbret. Këtij aktori i shkojnë në burg kryebashkiakë, ministra, deputetë, dhe nuk mban përgjegjësi. Ka përgjegjësi politike dhe administrative”, tha Mziu.

“Fakti që merret me Flor Binajn është frikë. Rama është në panik dhe jam i bindur që deri ditën e zgjedhjeve do të ndodhin gjëra dhe radhën e ka aktori i Rilindjes. Ndërsa aktori Binaj do të jetë kryetari i Bashkisë Tiranë”, shtoi deputeti demokrat.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos