Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk ka ndalur edhe në mbrëmje vonë, por ka vijuar takimin elektoral edhe në Laç, duke përmendur aty para mbështetësve të tij se si ju gris pasaporta e integrimit Edi Ramës në sytë e Evropës.
Sali Berisha i përmendi Ramës edhe çështjen McGonigal përsëri, shkruan A2.
“Edi Rama po numëron ditët. Është në rreth të kuq. Ju e dëgjuat rezolutën e 82 partive politike që qeverisin Europën sot se si e damkosën si armik të votës së lirë, si armik të opozitës, si baloz i lidhur me krimin. Në Valencia triumfoi kauza juaj. Në Valencia triumfuan idealet tuaja të lirisë. Idealet për një Shqipëri pluraliste dhe mori goditjen më fatale Edi Rama dhe bandat e tij. Kudo që shkon e ndjek si lugat, e ndjek si fantazmë McGonigali, dosja e tij. Edi Rama është i famshëm, ka në supe thesin me 225 mijë euro me të cilin korruptoi McGonigalin. Absolutisht atje do të shkojë në burg si ai. E patë ju, e patë në Valencia pasaportën e tij si ia grisën, ia hodhën në kosh. Me Edi Ramën nuk ka integrim, me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës”, tha Berisha.
“Ai përpiqet të mbrohet duke e shndërruar fushatën në tallava dhe banalitete vetëm e vetëm si të shpëtojë nga ju për vjedhjet që u ka bërë, për dështimet që ka bërë. Por, ditët i ka të numëruara. Sot janë nëntë, nesër do jenë tetë. Dhe së shpejti do marrë fund me 11. Vota juaj është vota e historisë. Vota e shqiptarëve. Miq, unë garantova me fjalë nderi udhëheqjen politike të Europës, se shqiptarët që përmbysën diktaturën më staliniste në Europë, do përmbysin më 11 Maj diktaturën e parë të drogës dhe krimit të Edi Ramës”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)