Kutive të KQZ iu shtuan edhe 13 mijë zarfe me fletë votimi në 24 orët e fundit, të mbërritura nga shqiptarët e diasporës. Operatori postar zbriti avionin në Rinas për të sjellë vullnetin politik të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët ishin regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Numri total i fletëve të mbërritura në KQZ shkon në rreth 157 mijë, ku nga dërgesa e fundit, pjesa më e madhe e tyre janë nga shqiptarët e Greqisë, shteti në të cilin partitë politike kanë pasur edhe vërejtjet më të mëdha sa i përket shërbimit postar.
Afati i fundit për të kthyer fletët në Shqipëri, ligjërisht konsiderohet data 11 maj ora 19:00, por për disa vende, kjo e mërkurë mund të shënojë edhe përfundimin e kohës për të votuar.
Kjo për shkak se në bazë të kontratës së KQZ me operatorin postar, nga një deri në tre ditë kohë duhet për të kthyer fletët e votimit në shtetet europiane, ndërsa për kontinentet e tjera, ajo shkon në pesë ditë, që do të thotë se për disa prej emigrantëve është mbyllur hapësira e nevojshme për kthyer në kohë zarfin me fletën e votimit. (A2 Televizion)