Gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për shuarjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Meta, nëpërmjet avokatit të tij, kishte kërkuar lirimin nga qelia me argumentin se janë shkelur të gjitha afatet e paraburgimit dhe se masa e sigurisë duhet të hiqet.
Pas vendimit, avokati Kujtim Cakrani deklaroi se gjykata nuk ka dhënë asnjë arsyetim për rrëzimin e kërkesës.
Meta ndodhet në burg prej tetorit të vitit të kaluar. Prokuroria e Posaçme e ka marrë të pandehur për tre vepra penale: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
Më 28 korrik SPAK mbylli hetimet dhe në fund të gushtit e dërgoi dosjen për gjykim, duke bashkuar tre hetime në një: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Edhe Monika Kryemadhi përballet me të njëjtat akuza si ish-bashkëshorti i saj. (A2 Televizion)