Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimi me Mbretin e Anglisë, Charles III, shkruan A2 CNN. “Londër – Në pritjen e Mbretit Charles III dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për liderët e Ballkanit Perëndimor në Pallatin St. James”, shkroi Rama.
Në takim ishin edhe liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilët ndodhen në Angli në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Një ditë më parë, në panelin Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian, Rama shpërtheu kundër politikanëve britanikë, duke u thënë që të mbyllin gojën kur prekin shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ambasadori ynë ka ardhur me skaf dhe sot është ambasador. Varkat e vogla kanë sjellë shumë njerëz me ëndrra, ambicie dhe që i bëjnë nder shoqërisë britanike. Ajo që ka rëndësi është që të paktën komuniteti ynë i shqiptarëve këtu po i jep mjaftueshëm Britanisë që politikanët britanikë që etiketojnë shqiptarët ta mbyllin gojën, ta mbyllin atë dreq goje, e të mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveç se për gjërat shumë të mira”, tha Rama.
“Sepse shqiptarët po punojnë fort dhe janë krenar që janë pjesë e këtij komuniteti. Kështu që kushdo që i prek duhet të ta mbyllë atë dreq goje”. (A2 Televizion)