“Do ketë zgjedhje në PD”, Berisha nuk largohet: Interpretimin e statutit e bën anëtarësia

Nga A2 CNN
22 Tetor 2025, 15:02 | Politikë

“Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së... ...Sigurisht që do të jem. Pyetje është kjo. Por e hapur ama, cilido”. Kështu u është përgjigjur zërave brenda Partisë Demokratike, Sali Berisha, të cilët kërkojnë hapjen e procesi të brendshëm për lidershipin e ardhshëm, në përfundim të mandatit 4-vjeçar të kryetarit, shkruan A2 CNN.

Por pavarësisht se Berisha flet për zgjedhje, statuti thotë ndryshe duke larguar automatikisht kryetarin që humbet zgjedhjet parlamentare. Ky është neni i vendosur prej atij vetë, të cilin e quajti Neni Basha, por tani kërkon që ta interpretojë anëtarësia.

Kjo deklaratë e liderit demokrat vjen pas pohimeve të deputetit Besart Xhaferri, i cili në një intervistë ka theksuar qëndrimin e tij, se ose Berisha duhet të faktojë farsën ose të largohet. “Ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka. Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do ti bëjë interpretimin përfundimtar”.

Brenda radhëve të demokratëve nuk ka vetëm të pakënaqur që shprehin mendime, por edhe nga ata që largohen në heshtje. Ish-deputetja Zheni Gjergji tashmë është strehuar si drejtoreshë e spitalit të Elbasani, por kreu i Partisë Demokratike pohon se raporti i saj është me demokratët dhe jo me të.

“Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur. Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike”.

I pyetur për komisionin e reformës zgjedhore, lideri demokrat pohoi se ende nuk kanë depozituar emrat në Kuvend, por shtoi se kanë gati edhe kërkesat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos