“Nuk trajtoi asnjë çështje që shqetëson shqiptarët në Angli”, PD e Londrës kërkon dorëheqjen e Ramës

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2024, 16:42 | Politikë

“Nuk trajtoi asnjë çështje që shqetëson

Dega e Partisë Demokratike në Britaninë e Madhe e ka cilësuar mizerabël paraqitjen e kryeministrit Edi Rama një ditë më parë në takimin me shqiptarët në Londër, duke kërkuar edhe dorëheqjen e tij. Në një deklaratë të shpërndarë në rrjetet sociale, PD e Londrës akuzon kryeministrin shqiptar se nuk trajtoi asnjë çështje që shqetëson shqiptarët në Britaninë e Madhe.

“Kryesia e Partisë Demokratike - Dega Britani e Madhe, denoncon fuqishëm sjelljen e Edi Ramës në takimin e sotëm në Britani të Madhe. Arroganca, mungesa e argumentit dhe prezantimi kaq mizerabël si kryeministër e kthen në çështje alarmante dorëheqjen e tij. Ai nuk trajtoi asnjë çështje që preokupon shqiptarët e vendosur këtu, si  marrëveshjet e ripranimit të nënshkruara symbyllur me palën angleze, trajtimi i të vdekurve shqiptarë në burgje apo kampe azilantësh, mosfunksionimin e ambasadës, mungesën e një plani për rikthimin e trurit dhe të shkolluarve në Britani, problemet e transportit ajror, dhe sidomos legalizimin e mijëra shqiptarëve që keqqeverisja e tij i ka detyruar të vinë këtu”.

Sipas PD-së së Londrës, Rama u paraqit pa vizion dhe i rrethuar nga kryebashkiakë e drejtorë të rilindjes, që sipas saj u dukej vetja “Kristoforë Kolombë” që zbuluan ishullin.

“Pamë një njeri të degraduar pa vizion, pa mbështetje dhe të rrethuar nga qindra rrugaçë që dinë të flasin vetëm me gjuhën e rrugës, grushtit dhe shkopit, pamë luks të madh kryebashkiakësh e drejtorësh rilindas që u dukej vetja “Kristoforë Kolombë” që zbuluan ishullin. Ne që jetojmë këtu e dimë mirë që shqiptarët të braktisën dhe po ashtu e dimë se si ke arritur t’i rekrutosh dhe ata në sallë. Mishi, birra dhe “zatetet” kanë kapluar lokalet e rilindasve të këtushëm këto ditë, njësoj si ahengjet e batalioneve kriminale komuniste që zaptonin krahinat e lira shqiptare dikur motit, tek e fundit ju si majtisto-komunistë këtë punë dini të bëni më mirë”.

PD denoncon gjithashtu se dje në Londër janë dhunuar barabarisht protestuesit kundër takimit të Ramës. Sipas saj koha e rrahjes dhe mbylljes së gojës gradualisht po mbaron.

“Sot prezantove thjesht vetveten, si trajneri i një ekipi kriminelësh me funksion deputetë, ministra, zëvendëskryeministra, drejtorësh e kryebashkiakësh. Në këtë pikë edhe ne si parti nuk kemi më çfarë të themi, je i pakonkurrueshëm në këtë drejtim, krahas Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. Koha e rrahjes së protestuesve dhe mbylljes së gojës gradualisht po mbaron, të fortëve tuaj me siguri do iu gjendet dermani, sepse koha ka dëshmuar se argumenti e mund forcën. Për të gjithë të dhunuarit barbarisht ditën e djeshme, urojmë shërim sa më të shpejtë dhe Zoti u dhashtë shëndet”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos