Opozita në sulm për “McGonigal” Berisha: SPAK të hetojë Ramën, do të ngremë komision në Kuvend

Nga Anesti Barjamemaj
5 Shtator 2025, 15:05 | Politikë

Sali Berisha zgjodhi që të mos pushojë këtë të premte. Ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, kreu i Partisë Demokratike e kujtoi në hyrje të konferencës, por para gazetarëve ai tha se kishte dalë për një tjetër qëllim. Dhe qëllimi ishte i lehtë për t’u marrë me mend, kur një ditë më parë në Tiranë kishte qarkulluar një raport hetimor i Departamentit Amerikan të Drejtësisë për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, që sipas Berishës fakton aktivitetin e tij kundër opozitës shqiptare.

“Zbulonte me terma konkrete aktivitetin e McGonigal si një agjent i paregjistruar kinez. Zbulonte një dimension të papërmendur për dy shtetas izraelitë dhe një izraelito-afrikan, senegalez, të cilët sot janë enturazhi i Edi Ramës, me shumë-shumë gjasa”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Por hetimet në SHBA nuk e kënaqin kreun e opozitës, pasi pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri. Sipas tij, dosja është bllokuar nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, të cilin e akuzon se po i shërben Ramës. “Dosjen e McGonigal opozita e ka dorëzuar me kohë në Skrapin e partisë. Por në pafytyrësi, Altin Troplini e ka mbajtur atë në sirtar. Mjafton të kërkosh zyrtarisht dosjen e gjykatës së SHBA dhe gjithçka e ke të provuar dhe faktuar mbi aktivitetin kriminal të Edi Ramës”, tha Berisha.

Sërish pohoi se pret lajme të mira nga SHBA, ku sipas tij, thellimi i hetimeve përtej oqeanit do të detyrojë edhe SPAK-un që të hetojë çështjen. “Hetimi për Edi Ramën vazhdon, pavarësisht do apo s’do Altin Troplini. Pavarësisht do apo nuk do, nuk e shpëton dot Altin Troplini, Edi Ramën nga hetimi”.

Lideri i opozitës u shpreh edhe se me nisjen e punës së Parlamentit, PD do të depozitojë një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje. Kërkesës së demokratëve pritet t’i bashkohen edhe deputetët e Partisë së Lirisë, pasi Tedi Blushi konfirmoi se kjo kauzë do të jetë prioritet i punës së tyre. Ndërkohë Gazment Bardhi premton se do të depozitojë prova të tjera në SPAK për atë që e quan afera Rama-McGonigal. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos