Kjo sjellje në Parlament do t’i kushtojë jo pak deputetëve të opozitës. Mazhoranca nuk ka humbur kohë duke evidentuar që mbrëmjen e së hënë 24 kolegët protestues të PD-së, të cilët shkaktuan trazira në sallën e seancave dhe jashtë saj, që nga djegia e karrigeve, goditja me mjete të forta dhe pengimi i mbajtjes së fjalës.
Komisioni i Etikës do të vendosë me sa ditë do të përjashtohen nga punimet e Kuvendit pjesëmarrësit në këto akte.
Nga Rregullorja e Kuvendit, mazhoranca kaloi te Kodi Penal. Nëpërmjet Policisë së Shtetit, Qeveria ka dërguar në SPAK për vepra të rënda penale 23 deputetë të opozitës. Në krye të të paditurve, rrezikon më shumë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, që akuzohet për veprat penale “Shkatërrim i Pronës me Zjarr” dhe “Goditje për Shkak të detyrës”. Pas tij, kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi, për hedhjen e këmbës së karriges në drejtim të kryeparlamentares Spiropali, akuzohet gjithashtu për “Goditje për Shkak të detyrës”. Ndërsa për flakën që u vuri karrigeve, Bledian Nallbati akuzohet nga Policia për veprën penale “Shkatërrim I Pronës me Zjarr”.
Përveç tyre, me Prokurorinë e Posaçme duhet të përballen edhe 20 deputetë të tjerë, jo vetëm të selisë blu por edhe aleatët e PD. I vetmi që mbetet për t’u sqaruar nga emrat e përcjellë nga policia është shtetasi E.B., 51 vjeç i cili me këto iniciale nuk identifikohet me asnjë deputet të Kuvendit. Por duke kryqëzuar të dhënat me emrat që PS ka dërguar për masë në Sekretariatin e Etikës mendohet të jetë Helidon Bushati.
Pas PS dhe Qeverisë, hakmarrja ndaj protestës së demokratëve ka ardhur edhe nga Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, e cila i njofton se dëmi financiar I shkaktuar do t’u mbahet nga rroga.
Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë. Tre kundërpërgjigjet e ashpra pushtetit duket se synojnë të zbusin sjelljen e opozitës, duke ua bërë të qartë se pasojat do të jenë të rënda, ndërsa vetë pakica duket që nuk do të ndalë “luftën” e shpallur me mosbindje civile ndaj Edi Ramës. (A2 Televizion)