“Paketa e Maleve, Kali i Trojës për Veriun”, Tabaku akuzon qeverinë për kaosin në Theth

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 09:39 | Politikë

“Paketa e Maleve, Kali i Trojës për Veriun”, Tabaku akuzon

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas prishjes së disa ndërtimeve në Theth, në kulmin e sezonit turistik. Sipas saj, situata e krijuar është pasojë direkte e të ashtuquajturës “Paketë e Maleve”, që ajo e cilësoi si Kali i Trojës për veriun e Shqipërisë.

“Paketa e Maleve nuk po zgjidh, por po grabit pronat e banorëve në veri. Është një ligj që po përdoret për të favorizuar të njëjtët klientë të përhershëm përmes modelit të investimeve strategjike. Qeveria e ka shitur këtë ligj si zgjidhje, por në realitet është kthyer në mjet për shkatërrim e pasiguri,” u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate ngre alarmin për mënyrën sesi vepron qeveria në mes të sezonit turistik, duke i dëmtuar komunitetet lokale dhe imazhin e turizmit shqiptar. Ajo theksoi se ndërtimet e konsideruara pa leje janë ngritur në sytë e pushtetit vendor e qendror, por tani përballen me goditje selektive e të njëanshme.

“Ky është një shtet që nuk parandalon, por godet në mënyrë të organizuar e me regji politike. E gjithë kjo sjellje ka prodhuar padrejtësi ndaj shqiptarëve dhe një sezon turistik të njollosur nga abuzimi me pushtetin,” përfundoi Tabaku.

Ajo kërkon një transparencë të plotë për projektet që po zhvillohen në zonat malore dhe ndalimin e politikës klienteliste që, sipas saj, po shkatërron turizmin vendas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos