Në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN, deputeti socialist Erion Braçe iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me mbështetjen që i dhanë njëri-tjetrit, ai dhe rivalja demokrate Jorida Tabaku, përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
I pyetur nëse “bënë fushatë” për njëri-tjetrin, referuar këtu deklaratave dhe postimeve të tyre, ku shpreheshin se secilit i takon të jetë në Kuvendin e ri, Braçe u përgjigj duke thënë: “Patjetër kjo është reciproke”.
Ai e vlerësoi rolin e Tabakut si politikane, duke theksuar se Kuvendit të Shqipërisë i duhen deputetë të ngjashëm me kolegen demokrate, të cilët e kthejnë atë në ambient pune, ku përplasen argumente dhe ide.
“Kur je ne Parlament patjetër që ke nevojë edhe për njërën shtysë, që janë pa diskutim ata që të kanë dhënë punën, pra janë njerëzit. Po shtysa tjetër është natyrale që të kesh edhe një kundërshtar të denjë, atje matanë. Ndryshe për çfarë do flasësh. Nëse tjetri rri atje matanë dhe të gjuan me fishekzjarrë, po edhe ti s’ke asnjë lloj ngasje, që të lexosh, të shkosh i përgatitur, të mbash shënime, të bësh llogari, të kesh një çantë me argumente për të shkuar atje. Dhe kur ke përballë të ngjashmin, atë që lexon, që përgatitet, që shkruan, që vjen me argumente, po patjetër që ke një stimul më të madh dhe e bën Kuvendin një ambient pune. Të gjithë ata që hyjnë në Kuvend duhet të kuptojnë se Kuvendi nuk është një ambient vaniteti, në raport me ata që janë atje në zonën tënde elektorale, që të kanë dhënë një status të epërm mbi ta. Jo. Kuvendi është një vend pune, ku ti shkon për të përmbushur interesat e atyre që kanë dhënë punë. Dhe në këtë kontekst, po, Jorida Tabaku e kthen Parlamentin në një ambient pune. Të ndihmon, që parlamenti të jetë realisht një ambient pune, por mbi të gjitha të ndihmon edhe të zhvillohesh. Sepse ka njerëz që vijnë aty edhe nga bota akademike. Por unë kam parë njerëz që aty tjetërsohen. Nuk është ambient pune sot Kuvendi, edhe për shkak se mënyra si është ndërtuar Kuvendi, në veçanti në Komisionet e përhershme të Kuvendit, me 20-25 vota në një dhomë ku nuk merr dot ajër, jo më të jesh në kushtet për të menduar apo paraqitur argumente. Kështu që duhet ndryshuar edhe Kuvendi, i ka ardhur koha që të ndryshojë”, tha Braçe në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN. (A2 Televizion)