Partia e Lirisë në linjë me PD-në: Mbështesim 3 kërkesat

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 14:39 | Politikë

Partia e Lirisë në linjë me PD-në: Mbështesim 3

Partia e Lirisë i është bashkuar nismës së Partisë Demokratike në 3 kërkesat e deklaruara sot pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat.

“Si grup parlamentar, i bashkohemi qëndrimit të grupit parlamentar të PD-së për përsëritjen e seancës plenare. I bashkohemi thirrjes ndaj Presidentit të Republikës që të ngrihet në lartësinë e detyrës, për të mos pranuar betimin e Këshillit të Ministrave dhe do i bashkohemi gjithashtu mocionit të mosbesimit për shkarkimin e kryeparlamentarit Niko Peleshi", tha Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

"Programi i qeverisë nuk jep asnjë përgjigje konkrete, nuk të jep shpresë, me taksa të larta dhe paga mizerable. Po shpenzohen miliona euro për dy TEC-e lundruese që nuk prodhojnë energji. Pse një kilometër rrugë do na kushtojë 7 herë më shtrenjtë se vendet në rajon dhe Evropë, kurse në fshatra nuk ka qendra shëndetësore. Shqiptarët dhe të rinjtë braktisin vendin, kurse oligarkët pasurohen. Edi Rama e shfaq urrejtjen e tij për Kosovën, teksa në programin e qeverisë Kosova nuk përmendet në asnjë paragraf. Vizioni i tij është lufta me qytetarët dhe antikombëtare. Shqipëria vendi më i pasigurt për jetën”, shtoi Blushi.

Rama iu shmang sot përballjes me opozitën, sepse ai është autori i kapjes prej fyti të sistemit të drejtësisë, duke e renditur Shqipërinë si të vetmin vend në Europën demokratike ku ka të burgosur politikë, ku kërcënon, shantazhon dhe ku rregullorja e burgjeve vlen më shumë se Kushtetuta. Presidenti i PL vijon të mbahet në izolim pa prova e fakte, pa proces ligjor, që prej 21 tetorit 2024, kurse Edi Rama vijon të jetë i lirë të vjedhë, edhe pse provat janë në dritë të diellit, ose si rasti i aferës McGonigal dhe kjo ndodh sepse reforma është shndërruar në Ramaformë dhe qëllimi është për të vrarë opozitarizmin”, tha kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos