Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se ndërprerja e punimeve të Parlamentit dhe miratimi i programit të Qeverisë pa debat, ishte një skenar i parapërgatitur nga Kryeministri Edi Rama. “E lajmëroi vetë kryehorri i kombit, se vetëm ai mund të ndërmarrë një skenar dhe akt të tillë, u asgjësua në momentin e tij më solemn, momentin më të rëndësishëm të transparencës, të përgjegjësisë, parlamenti shqiptar”, tha Berisha në një mbledhje me deputetët në selinë e PD pas seancës.
“Ka ndodhur që kjo organizatë kriminale që drejtohet nga Edi Rama të kalojë ligje për 5 minuta, por nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë dhe në asnjë vend, që një program qeverie, një kabinet të kalojë brenda 5 minutave siç u veprua sot. Ky është një akt brutal dhune publike ndaj qytetarëve shqiptarë të çdo spektri që ka marrë pjesë në votim”, shtoi Berisha, përcjell A2 CNN.
“Edi Rama tregoi se, këtu është problemi, në një diktaturë totalitare në vitin 1946, Enver Hoxha i mori dhe i pushkatoi ata deputetët e opozitës, kurse ky faktikisht pushkatoi parlamentin sot. Ky pushkatoi Kushtetutën sot. Ky njeri që u kthye nga Brukseli, të krijon përshtypjen se atë hapjen e kapitujve e konsideroi si një licencë për të asgjësuar parlamentin. Asnjë diktator i diktaturave totalitare, asnjë diktator i diktaturave autoritare nuk ka bërë një akt të tillë. Kurrë!”.
Berisha ftoi detpuetët që opozita të kalojë në veprime dhe të përgjigjet në mënyrën më të fuqishme. “Ju ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt. Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën. Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat. Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim. Droga është kryefjala e këtij regjimi në çdo anë, por ne duhet të marrim vendimet tona. Ne jemi para një fakti të paprecedent dhe ne duhet t’i përgjigjemi me çdo kusht në mënyrën më të fuqishme, me veprime, këtij akti të sotëm”, u shpreh ai. (A2 Televizion)