Sekretari i PL, Tedi Blushi deklaroi në A2 CNN se pasi “ekzekutoi” Erion Veliajn me votën e këshillit bashkiak, Edi Rama do të fillojë të eliminojë dhe mbështetësit e tij.
I ftuar në “Off the Record”, Blushi u shpreh se kryeministri ka nisur të flasë dhe për kullat në qendër të kryeministrit, një prej të cilave sipas tij është ndërtuar nga një aleat i Veliajt.
“Kullat pa leje sot po i denoncon Edi Rama. Dhe e dini se përse po i denoncon. Sepse një nga kullat pa leje është ndërtuar nga Fatmir Xhafaj. Kështu thonë mediat. Dhe pasi vari Veliajn, po var dhe bashkëpunëtorët e tij.
Pasi u var Veliaj në pyllin orbital do të varen dhe bashkëpunëtorët e tij dhe atij që i dalin kundër Edi Ramës. Këta vuajnë të gjithë nga sindroma e Stokholmit. Fryma e partisë nënë është akoma. Tani është radha e grupit armiqësor. U kujtua pas 12 vitesh të shohë kullën përballë Bashkisë.
Ky kryeministër sheh bujtinat në Theth e Valbonë dhe nuk sheh kullat. A u zbulua grupi armiqësor i Saimir Tahirit? Edi Rama të përdor, të shtrydh si limon dhe të hedh. Kështu ndodhi me Dvoranin, kështu do të ndodhë dhe me Dumanin. Do jetë viktima e radhës e Edi Ramës”, tha Blushi. (A2 Televizion)