Partia Demokratike ka bërë të ditur dorëzimin e kërkesës për krijimin e komisionit hetimor pas akuzave të ngritura për trafik armësh prej kompanisë Kayo. Klevis Balliu thekson se kuvendi nuk do të ndërhyjë në punën e SPAK por kërkohet transparencë për gjithë situatën.
“Kemi depozituar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për Kajun, sepse ato që po dalin në dritë nuk mund të trajtohen më si një çështje e zakonshme administrative. Kemi përballë një kompani shtetërore që operon në një sektor strategjik, atë të armëve, municioneve dhe teknologjisë ushtarake. Kemi partneritete ku shteti shqiptar ngre pikëpyetje mbi kontrollin dhe pozicionin e tij. Kemi kontrata dhe pagesa me vlera të konsiderueshme. Kemi pikëpyetje serioze mbi përzgjedhjen e partnerëve dhe mbi të gjitha kemi materiale të bëra publike që kërkojnë verifikim të plotë mbi dyshimet për një skemë të mundshme të trafikimit, importimit dhe ripaketimit të armëve. SPAK duhet të verifikojë çdo lidhje të mundshme mes Ron Yefet, Ergys Agasit, Ecos Resort, TMAK, Horse Club dhe personave të subjekteve të përfshira në dosjen e AKSHI-t. Sepse nëse këto marrëdhënie janë të ligjshme, transparenca duhet t'i sqarojë. Ne nuk po kërkojmë që parlamenti të bëjë punën e SPAK-ut. Përkundrazi, SPAK duhet të hetojë çdo dyshim për vepra penale. Parlamenti ka detyrimin kushtetues të kontrollojë me kontrollin parlamentar dhe të zbardhë përgjegjësinë politike dhe institucionale”. (A2 Televizion)