Kur na ndajnë edhe 24 orë nga nisja zyrtare e fushatës për zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit, mazhoranca ka njoftuar emrat e kandidatëve të saj, ndërsa opozita përveç mbështetjes për Florjan Binajn në Tiranë, ka lënë enigmë 5 emrat për Beratin, Vlorën, Matin, Tepelenën dhe Cërrikun.
Për këtë çështje, kryedemokrati Sali Berisha foli në nisje të mbledhjes së grupit parlamentar, duke bërë me dije se PD do të mbështesë kandidatë të pavaruar në të gjitha bashkitë ku do të votohet më 9 nëntor.
Sipas tij, ky është një model i mirëpritur nga qytetarët dhe i mbështetur edhe nga aleatët e PD. Berisha theksoi se kandidatët e opozitës janë figura me reputacion të lartë dhe se ato janë alternativa të denja përballë përfaqësuesve të maxhorancës, të cilët ai i akuzoi për korrupsion.
“Ne shkojmë në zgjedhje lokale dhe kam kënaqësinë që të informoj se në gjitha zonat ku ato zhvillohen, janë përzgjedhur ose kanë kandiduar kandidatura të pavarura, çka do të thotë se e kanë mirëpritur shumë këtë model të përzgjedhur këtë herë nga PD dhe aleatët e saj. Kandidatura me reputacion të shkëlqyer, qoftë në Vlorë, në Berat, në Cërrik, në Mat, Tepelenë. Pra, ne u ofruam qytetarëve një model, nuk është se nuk e kemi përdorur, ne e kemi përdorur edhe në vitet 2001 e më radhë, por e rëndësishme është që janë paraqitur kandidatura pakrahasimisht eprore me ato që dërgon partia e krimit”, tha Berisha.
Ai u ndal në veçanti tek kryeqytetit, duke kritikuar Ogerta Manastirliun, që sipas Berishës është përfshirë në skandale dhe abuzime me tendera në sektorin e shëndetësisë.
“Imagjinoni ju Florjan Binajn me keqbërësen Manastirliu, që edhe vetë është bërë verem kur mori vesh se emërohet nga Edi Rama, sepse e di se qytetarët nuk mund t’ia falin vjedhjet e saj, korrupsionin e saj, etj. Në Vlorë ka dërguar një deputetë, që më shumë duket përfaqësuese e vetes së saj. Famoze për korrupsion. Imagjinoni ju, edhe ushqimin e të sëmurëve e ka vjedhur me tendera. Ajo ka akte shumë të rënda në qëndrimin ndaj të sëmurëve. Ajo është denoncuar shumë herë për qëndrimet çnjerëzore në spitalin psikiatrik. Prandaj e ka zgjedhur ai. Edhe në këtë kontekst, opozita kudo ka një epërsi”, deklaroi Berisha.
“Demokratët duhet të japin mbështetje maksimale për këto kandidatura që përfaqësojnë dinjitetin, profesionalizmin dhe integritetin”, apeloi kreu i PD, duke i bërë thirrje strukturave të angazhohen maksimalisht për fushatën zgjedhore. (A2 Televizion)