"Për 21 Janarin të hetohet Lul Basha, Berisha"- Koka: Edhe në 2 Prill përgjegjësi mbajti Gramoz Ruçi, jo Fatos Nano

Nga A2 CNN
12 Nëntor 2025, 22:29 | Politikë

Gazetari Bledian Koka është shprehur se një ndër personat kyç që duhet të hetohet për 21 Janarin është ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe jo ish-kryeministri Sali Berisha.

Komentet Koka i bëri në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku hoqi një paralelizëm mes 21 Janarit dhe ngjarjeve të 2 Prillit në Shkodër, ku mbetën të vrarë po 4 persona.

Koka tha se për ngjarjen e 2 Prillit, emri i Fatos Nanos nuk u lakua kurrë, por sipas tij, ai që e mbajti mbi supe përgjegjësinë ishte ish-ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi.

Ai shtoi se dëmi më i madh që mund t’i bëhet hetimit të 21 Janarit, është politizimi i çështjes.

“Gjithë kjo që bëhet është e ka dhënë apo nuk e ka dhënë urdhrin Sali Berisha. Unë do bëja një deviacion tjetër. Me thënë të drejtën nuk e kam origjinale, por ia dëgjova politikanit të njohur, zotit Myslym Murrizi që tha ‘kush është ndryshimi mes ngjarjes së 21 janarit dhe asaj të 2 prillit në Shkodër’.

Ka shumë ngjashmëri, po trajtimin politik e ke parasysh si bëhet? 4 viktima atherë, 4 viktima edhe në 21 janar. Ka pasur edhe atherë kryeministër, ka pasur edhe në 21 janar kryeministër. Në ngjarjen e 2 prillit, i vetmi njeri që u kërkua të dëshmojë dhe hetohej, ka qenë ministri i Brendshëm, Gramoz Ruçi. Ka shkuar Gramoz Ruçi në Shkodër në gjyq.

Askush nuk e mban mend që kryeministër i kohës në 2 prill ka qenë Fatos Nano. Nuk u mor kush me Fatos Nanon, të gjithë e mbajtën fokusin te Gramoz Ruçi, i cili mbajti edhe ngarkesën deri ditën që u largua nga politika. Dëmi më i madh që mund t’i bëhet 21 Janarit, është politizimi i ngjarjes”, tha mes të tjerash Koka. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos