Përgjimet e Sky dhe EncroChat, Berisha: BE të ndërhyjë, krimi dhe qeveria duan t’i deligjitimojnë

Nga Anesti Barjamemaj
25 Nëntor 2024, 19:59 | Politikë

Sali Berisha kërkon ndërhyrjen e Bashkimit Europian për të ndikuar pranë Gjykatës Kushtetuese me qëllim që të mos deligjitimohen përgjimet e Sky dhe Encrochat. Lideri i opozitës pohoi se ndaj trupës kushtetuese po bëhet presion, ku, sipas tij, janë paguar 6 milionë euro që përgjimet të mos cilësohen si të ligjshme, shkruan A2 CNN.

“Është një mundësi për BE-në dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Gjermaninë, të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të ushtrojnë presion ndaj autoriteteve shqiptare. Një veprim i përbashkët dhe vendimtar mund të sigurojë që këto masa të vazhdojnë të njihen ligjërisht dhe të jenë efektive ashtu si ç’ka vendosur së fundmi edhe GjNDNJ”, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar një deklarate të kreut të SPAK, Altin Dumani, që komentoi këtë çështje, kreu i PD u shpreh se edhe ky zyrtar është përfshirë në luftën për të mos i konsideruar si provë përgjimet e këtyre aplikacioneve të koduara: “Vlerën e tyre ligjore e vuri në dyshim edhe kreu i prokurorisë speciale duke u shprehur se ka probleme midis legjislacionit francez (që i ka pranuar ato) dhe legjislacionit shqiptar, duke vetëkuptuar kështu paligjshmërinë e tyre në Shqipëri”.

Berisha gjatë konferencës për mediat ndau dhe lajmin se problemet e tij ligjore me drejtësinë shqiptare tashmë kanë kaluar në Strasburg, ku kjo gjykatë e ka cilësuar si kazus me rëndësi të veçantë.

“Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut në Strasburg e ka klasifikuar rastin ‘Berisha’ si leading, pra të rëndësishëm, dhe e kanë komunikuar shumë shpejt këtë njoftim, pa pritur shterim të mjeteve të brendshme, për çka unë u jam shumë mirënjohes kësaj gjykate që është edhe garante kryesore e të drejtave të njeriut”, shprehet Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike kërkoi mbështetjen e qytetarëve për protestën e kësaj të marte, ku shtoi se mosbindja civile e opozitës do të paralizojë Tiranën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos