Nga studio e “A2 Weekend” me Suela Demirin, në A2 CNN, këshilltari i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti ka bërë thirrje për një bashkim të frontit opozitar në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme për kryeqytetin, ku Partia Socialiste do të garojë me ish-ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Sipas Alimehmeti i takon Partisë Demokratike, si forca më e madhe e opozitës, sikurse vëllai i madh brenda një shtëpie, që të mbledhë më të vegjlit dhe të diskutojnë rreth një kandidati ose platforme të përbashkët.
“Partia Socialiste ka përdorur mentalitetin e pushtuesit. Që do të thotë, heq dhe zbon ata që ka kundër, mundohet të blejë dhe intimidojë ata që mbesin dhe thotë ja kaq kanë mbetur këta dhe këta votojnë. Aktualisht sot që flasim ne kanë 48% në qarkun e Tiranës kështu siç është. Ku e ka forcën? Nëse gjehet gjuha e përbashkët e përmbledhjes, kujt i takon kjo? I takon PD, është forca opozitare e parë dhe më e madhe. Këto janë fjalët e mia që i kam thënë me vite, nuk është se po ndryshoj ndonjë fjalë sot. Vëllai i madh ka përgjegjësi në shtëpi, për të mbledhur vëllezërit dhe motrat e tjera. Për çfarë qëndrojmë ne? Qëndrojmë ne kundër shpopullimit, kundër korrupsionit, pro familjes, qëndrojmë pro besimit, hajde mblidhemi. Qëndrojmë ne pro kombit, pra këto neve na bashkojnë. Programet mund ti diskutojmë sepse mund të kemi metoda të ndryshme sesi ne i zhvillojmë këto”, tha “A2 Weekend” me Suela Demirin, në A2 CNN. (A2 Televizion)