Inteligjenca Artificiale do të jetë kryefjala edhe në Ministrinë e Drejtësisë.
“Kjo ministri është njëra nga vatrat e aktivitetit të Inteligjencës Artificiale”, tha kryeministri Edi Rama.
Në prezantimin e ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, Rama pohoi se Inteligjenca Artificiale do të jetë aleati kryesor për të gjithë punonjësit në sfidën e përbashkët për të integruar Shqipërinë në Bashkimin Evropian, shkruan A2.
“Pastrimi i legjislacionit tonë nga mbivendosjet, kemi një xhungël ligjesh dhe VKM që kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe pastaj papritur na del që mund të jemi peng i ndonjë ligji të 56. Dhe këtë punë që kemi nisur do ta çojmë përpara dhe do jetë një gjë e jashtëzakonshme, që me njerëz nuk bëhet dot”, u shpreh Rama.
Për t’u afruar me Bashkimin Evropian, Rama pohoi se duhet edhe një pavarësi e sistemit gjyqësor, por edhe një Kod Penal dhe Civil i përditësuar. Për këto objektiva u zotua ministri i Besfort Lamallari.
I pranishëm në këtë kalim stafete ishte edhe ministri i derisotshëm i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili me jo pak emocione gjatë fjalës së tij u vetëofrua si këshilltar i pasardhësit të tij. (A2 Televizion)