Alimehmeti: Rama nuk mund t’i japë urdhër Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt

Nga A2 CNN
20 Shtator 2025, 18:42 | Politikë

Për Ilir Alimehmetin projektvendimi i këshilltarëve socialistë të Bashkisë së Tiranës për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, që do të diskutohet në mbledhjen e së martës, është i vonuar dhe në shkelje të afateve ligjore.

Sipas tij çështja e shkarkimit duhet të kishte hyrë në rend dite që më 12 maj, kur sipas ligjit për qeverisjen vendore u plotësuan tre muaj që Erion Veliaj nuk kishte shkelur në zyrë, pasi ishte i arrestuar me urdhër të SPAK.

“Këshilli Bashkiak duhej të ishte mbledhur më 12 maj se atëherë ishte dita e parë e punës, që u bën tre muaj dhe ta kishte çuar propozimin. Por futen në shpërdorim detyre, Romina Kuko, ish-kryetare e Këshillit Bashkiak asokohe, më pas Megi Fino që është kryetarja aktuale, të cilat jo vetëm nuk e vunë,  por as nuk e diskutuan a ta fusim në rend dite këtë çështje. Pra ato nuk e dinin që kryetari i bashkisë ishte në burg”, tha Alimehmeti në “A2 Weekend” me Suela Demirin, në A2 CNN.

“Sepse prisnin Maliqin”, shtoi ai më tej, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama. “Prisnin të merrnin një OK dhe kur ky OK u dha ja ku jemi tani”, nënvizoi Alimehmeti.

Këshilltari i djathtë për Bashkinë e Tiranës po ashtu shtoi se është shkelje ligjore që kryeministri Edi Rama t’iu japë urdhër socialistëve për të shkarkuar Veliajn, pasi Këshilli Bashkiak vepron në bazë të ligjit të autonomisë, i pandikuar nga ekzekutivi.

“Ky vendim i Ramës për Veliaj  është antiligjor. Është antiligjor nga aspekti i Ramës, sepse nuk mund t’i japë ai urdhra Këshillit Bashkiak, filloni ju tani procedurat dhe shkarkojeni. Këshilli Bashkiak funksionon në bazë të ligjit për vetëqeverisjen vendore. Në një periudhë  të pandërprerë tre mujore që nuk paraqitet, nga Këshilli Bashkiak kryetari i bashkisë i propozohet Këshillit të Ministrave për shkarkim. Pra nuk e shkarkon Këshilli Bashkiak, por propozon dhe ka detyrë sepse ia jep ligji këtë detyrë. Pastaj e shkarkon, nuk e shkarkon kryeministri është përgjegjësi e tij”, deklaroi Alimehmeti në “A2 Weekend” me Suela Demirin, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos