“Po shkelni me dy këmbët Kushtetutën”, Tabaku akuzon mazhorancën për ndryshimet në komisionet parlamentare

Nga A2 CNN
16 Shtator 2025, 13:43 | Politikë

“Po shkelni me dy këmbët Kushtetutën”, Tabaku akuzon

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar mazhorancën se po shkel Kushtetutën me ndryshimet në komisionet parlamentare.

“Javën e shkuar, ne të gjithë u betuam mbi Kushtetutën. U betuam që do e zbatojmë këtë Kushtetutë dhe në seancën e parë ne e nisim me shkelje. Sesioni i kaluar u mbyll po me shkelje të Kushtetutës. U mbyll me shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, u mbyll me cenimin e nismave të opozitës. U mbyll me një sjellje që ngushtoi edhe më shumë hapësirën e debatit parlamentar. Rregullorja e Kuvendit kishte nevojë të ndryshohej, por të ndryshohej me një debat të gjerë. Se si mund të bëhen deputetët më të përgjegjshëm, se si të shmangim konfliktin e interesit, se si t’i afrojmë deputetët afër qytetarëve”, theksoi Tabaku, shkruan A2.

“Ne sot duhet të kishim një debat parlamentar se si të rrisim hapësirën e opozitës në një moment ku të gjitha hapësirat janë zënë dhe uzurpuar nga mazhoranca dhe jo të bëjmë hapa pas. Struktura e re e komisioneve nuk reflekton as Komisionet e Integrimit dhe nuk reflekton prioritetet që ka sot Shqipëria. Është e panevojshme sot kjo që po bëni. Po e nisni duke e shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën. Mburreni me procesin e Integrimit, por procesi i integrimit është dakordësi dhe zbatim i rregullave. Çfarë vlere ka se sa kapituj hapen kur shkel Kushtetutën? Parlamenti sot nuk reflekton vullnetin e shqiptarëve, kjo është e qartë, por të paktën juve ju takon që të jeni simbol i unitetit dhe debatit në këtë Parlament”, shtoi Tabaku.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos