Akuza të ashpra ka bërë Gazment Bardhi në drejtim të presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për të cilin grupi i PD tashmë ka depozituar në Kuvend dhe kërkesën për shkarkimin e tij.
Sipas Bardhit, kreu i shtetit rezulton që merr të ardhura në një rrjet klinikash mjekësore, ku ai ushtron profesionin e tij.
“Presidenti del i punësuar në një klinikë mjekësore. Ditën bën presidentin dhe pasdite paguhet nga rrjeti Acibadem. Ky është niveli i presidentit të Republikës. Nuk përmbush asnjë standard, ndjehemi të keqardhur që paraqesim kërkesën për shkarkim. President pasdite dhe mjek pasdite. Ky është president dhe pasdite shkon si konsulent në një rrjet të klinikave private”, tha Bardhi.
Më tej, kreu i grupit të PD, u shpreh se një shkelje tjetër e Begaj ka të bëjë me konfliktin e interesit, ku djali i tij, ndonëse ndodhet jashtë shtetit rezulton i punësuar në një kompani sigurimesh që fiton të gjitha tenderët e Presidencës.
“Perfitimi personale dhe të të birit, pasi për këtë shkelje dyshohet se ka bërë dhe një krim dhe për këtë do t’i drejtohemi SPAk. Në kundërshtim me disa nene ka krijuar një gjendje konflikti interesi që cenon konkurrencën duke I dhënë përfitimet e gjitha prokurimeve të Presidencës, kompanisë ku është punësuar në mënyrë fiktive djali i tij. Djali i presidentit vetëm 23 vjeç, ndërkohë që ndodhet jashtë vendit. Dhe që ndodhet me studime jashtë Shqipërisë, të dhënat tregojnë se është në një kompani sigurimesh brenda Shqipërisë me një pagë që është dyfishi i pagës së punonjësve që kanë punonjësit në këtë kompani. Ka pagë të barabartë me drejtuesit, i katërti në këtë kompani. Kjo kompani aplikon për të fituar tenderë në Presidencë dhe i fiton të gjitha”, deklaroi Bardhi. (A2 Televizion)