Pesë orë debat i ndezur në Komisionin e Ligjeve shndërruan raportimin e kreut të SPAK, Altin Dumani, në një përballje të drejtpërdrejtë me deputetët. I përgatitur me statistika dhe dosje të nxehta të vitit zgjedhor 2025, ai iu përgjigj akuzave politike, duke theksuar se hetimet për krimet zgjedhore vijojnë ende dhe se një kryebashkiak është zyrtarisht nën procedim për korrupsion dhe një tjetër nën hetim. Në një moment që heshti sallën ishte konfirmimi se gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka, që firmosi arrestin e Sali Berishës, është nën hetim për mosdeklarim të një dënimi në Greqi.
Altin Dumani shkoi i përgatitur për përballje me deputetët në Komisionin e Ligjeve. Edhe pse ishte thirrur të raportonte për vitin 2024, me vete kishte statistikat e dosjeve të nxehta të 2025, viti zgjedhor ku SPAK u anatemua shumë.
“Të jap përgjigje sa herë na ke marrë, kemi ardhur edhe në mes të natës. Ju na thoni po blihen votat në filan vend; sa ne bëheshim gati, dilte me titra në media”, deklaroi Dumani duke iu drejtuar Oerd Bylykbashit.
Krimet zgjedhore, sipas Dumanit, po vijojnë të hetohen sot e kësaj dite. Pa përmendur emra, por funksionin e tyre, Dumani deklaroi se dy të zgjedhur vendor tashmë janë nën lupën e SPAK: “Një kryebashkiak zyrtarisht i proceduar për korrupsion zgjedhor, një tjetër nën hetim”.
Përgjatë këtij viti ra në pranga edhe Erion Veliaj, i cili duket se i kishte krijuar një shije të keqe Dumanit me protestën e zhvilluar jashtë SPAK: “Kemi dhënë sinjale që emrat për ne nuk kanë rëndësi. Rrethimi i prokurorisë nga mbështetësit e Veliajt ishte një ngjarje e shëmtuar. Sinjalizuam institucionet që nuk kishin marrë masa. Pas mbarimit doja të ikja në shtëpi dhe me vështirësi kemi kaluar mes turmës së njerëzve, por kisha një emergjencë familjare.”
Një përgjigje kishte edhe për ata që e akuzojnë personalisht: “Thoni për mua që jam koka e krimit të organizuar. Përgjithësisht, pas çdo sulmi të politikës ndaj SPAK rriten edhe kërcënimet ndaj prokurorëve të posaçëm”.
Mes lajmeve të njëpasnjëshme në raportimin e tij, ajo që heshti sallën ishte deklarata se gjyqtarja Irena Gjoka, që i hoqi lirinë Sali Berishës për gati një vit, është nën hetim për falsifikim të formularit të dekriminalizimit: “Kjo është një pyetje që ka të bëjë me një çështje konkrete, e cila është në fazën e hetimit paraprak dhe ne nuk mund të japim informacione lidhur me çështje që ndodhen në këtë fazë dhe për të cilat nuk kemi pasur procedime publike. Konfirmojmë se kemi një procedim penal të regjistruar në muajin qershor 2025 dhe po vijojmë procedimet hetimore.”
Komplimentet i mori vetëm nga mazhoranca, edhe pse shumë bashkëpunëtorë të Edi Ramës janë nën pranga. Nga politika, Dumani pret një përgjigje që lidhet me ndryshimet ligjore për t’u dhënë prokurorëve të SPAK mundësinë të rikandidojnë, por jo për veten e tij: “Nuk është kërkesë për veten time; edhe sikur të jepet mundësia, nuk do të rikandidoj, por për prokurorët e tjerë. Kam tre vjet që bëj një kërkesë në Komisionin e Ligjeve dhe nuk marr një përgjigje. Të paktën të përgatiten prokurorët se çfarë do të bëjnë.”
Një përgjigje Dumani e mori nga drejtuesi i Komisionit të Ligjeve, i cili u shpreh se prokurorët e SPAK duhet të kenë mundësi të rikandidojnë, por fjala e Manjës nuk mjafton, pasi ndërhyrja shkon deri në Kushtetutë. (A2 Televizion)